Ejani të shijoni ushqim të freskët dhe atmosferë familjare mes natyrës së qetë. 🍴✨ Është një ditë feste në fshatin Boboshticë. Këtë ditë e gjen vetëm një herë në vit, me një atmosferë të tillë, me tinguj muzikorë dhe me shumë surpriza të tjera. Kalimtarë të rastit, që kanë ardhur për të kaluar pak kohë në fshatin e njohur të Korçës, çuditen kur papritur në rrugë shohin disa gra plot energji që jan
ë veshur me kostume tradicionale. Për ta është një gjë e rrallë dhe shpejt nxitojnë ta fiksojnë këtë moment në aparatet e tyre. "Janë Rosicat", shpjegon një nga gratë. Kalimtarët turistë që vijnë nga larg ngrenë supet në shenjë habie, por të kënaqur nga ajo që shohin qëndrojnë për të ndjekur atë që ndodh në fshat. Gratë e veshura me kostume kanë dalë nga kisha e Shën Mërisë. Në lëndinën në kodër ka nisur muzika dhe vallet tradicionale. Kostumet që mbajnë veshur janë të larmishme. Ato tregojnë mënyrën se si visheshin gratë qëmoti, ndërsa prania e komuniteteve të ndryshme kulturore dallohet lehtë nga natyra që kanë kostumet. "Kjo është një festë sa pagane aq edhe e krishterë", thotë njëra nga gratë. Ajo quhet Elpi Manco dhe ka mbledhur shoqet që një ditë më parë. Gratë kanë lënë punët e shtëpisë dhe kanë dalë të marrin pjesë në këtë festë. Por jo të gjitha janë aty, mes grumbullimit kostumografik. Të tjerat presin trokitjet në dyert e shtëpive të tyre, aty ku kanë bërë gati zahiretë për këtë ditë feste. Ato janë në pritje të Rosicave. Muzika që shoqëron gratë me kostume u afrohet më shumë shtëpive të fshatit, pasi kanë lënë pas kishën dhe manastirin që është zhurmuar nga këngët dhe vallet. Ashtu me kostume tradicionale nisin të kërcejnë në rrugicat me kalldrëm. Rosicat po u afrohen portave të shtëpive. Këtu ato nisin një këngë, ku njoftojnë se kanë ardhur për të mirëpritur bujarinë e familjeve fshatare. Në vargjet e këngës ka urime, hare dhe më pas nisin kërcimet para oborreve të shtruara me plloça dhe gurë. Zonjat e shtëpive, por edhe burrat dalin shpejt jashtë. Pasi janë bashkuar me Rosicat, gruaja e shtëpisë servir "sheqerkat" dhe llokumet. Mielli, gjalpi, vezët dhe sheqeri janë gati. Këto do të gatuajnë më vonë me to, ndërsa një drekë e madhe do të mirëpresë banorët, por edhe vizitorët në bujarinë e tryezës së shtruar. Zahiretë do të përdoren të gjitha për gatimin e byrekëve në saç, pogaçeve, petullave dhe bukëvaleve, por edhe ëmbëlsirave. Këto janë të gjitha gatime karakteristike të zonës. Rrugicat me kalldrëm marrin tatëpjetën dhe bashkë me to edhe gratë që, pasi kanë lënë pas një shtëpi, kalojnë te tjetra e kështu me radhë. Teto Leta, pasi u ka mbushur çantën Rosicave, del në sokak. Ajo duartroket dhe shoqëron gratë që kërcejnë. "Kërceni sa jeni të reja. Unë do t‘ju shoqëroj me duartrokitje, nuk kam fuqi, pa dhe unë do isha futur me ju në valle", qesh e moshuara me "mësallën" e varur përpara, që qëndron mbi gur për të pasur një pamje sa më të mirë të asaj valleje popullore në rrugën para shtëpisë së saj. "Festa e Rosicave organizohet ditën e tretë pas fluturimit të Krishtit në qiell. Ka lidhje me Shën Mërinë, që mblodhi shoqet për të festuar dhe gatuan e bënë një drekë të madhe. Festa e Rosicave është traditë e fshatit tonë. Ajo shoqërohet me gajde dhe dajre, që janë karakteristike të Rosicave. Shkojmë shtëpi më shtëpi, këndojmë e kërcejmë dhe marrim zahirenë për të gatuar. Kjo është edhe festë pagane, pasi lidhet me fillimin e verës dhe çeljen e luleve e gatuhet vetëm brumë, pasi fshati e ka të lidhur jetën me grurin e blegtorinë dhe sjell bereqet", thotë Marika Lolo.